Bunjaki: S�largohem deri m� 2020!

16 Tet

Albert Bunjaki është bërë njeriu më i kritikuar pas nëntë golave që pësoi Kosova në humbjet nga Kroacia e Ukraina. Zërat që e kërkojnë largimin e tij janë shtuar dukshëm, por vetë përzgjedhësi nuk ndihet nën presion të kritikëve. Madje, Bunjaki i ka thënë “Zërit” se as që po e mendon largimin nga posti i selektorit para vitit 2020. Madje, thotë se i kupton kritikët sepse ata ia lakmojnë pozitën

Dy humbjet e Përfaqësueses së Kosovës nga Kroacia (6:0) dhe Ukraina (3:0), kanë ngjallur pakënaqësi në vendin tonë, shkruan sot gazeta Zëri.

Mbi të gjitha, kritikat më të mëdha për këto humbje të thella i janë adresuar trajnerit Albert Bunjaki, sidomos nga trajnerët tjerë kosovarë, por edhe njohës të ndryshëm e tifozë.

Madje kanë filluar të hapen zëra se selektori mund të shkarkohet, duke ia bërë vendin njërit prej trajnerëve që përmenden më së shumti, në mes Ardian Koznikut, Kujtim Shalës, Besnik Hasit apo edhe kroatit Çiro Bllazheviq.

Mirëpo, trajneri prishtinas nuk ndihet aspak i rrezikuar dhe nuk mendon se po i lëkundet karrigia. Përkundrazi. Ai thotë se po punon në qetësi të plotë, i bindur se do ta vazhdojë projektin e nisur, duke garantuar se sukseset në të ardhmen nuk do të mungojnë.

“Ekziston një projekt afatgjatë, të cilin do ta vazhdojmë. Unë kam nënshkruar me FFK-në kontratë 2+2, që do të thotë se do të jem trajner i Përfaqësueses deri pas ‘Evropianit 2020’, kur edhe do të tërhiqem vetë. Spekulimet janë normale në botën e futbollit, por unë nuk merrem shumë me to. E di se shumë trajnerë e lakmojnë këtë pozitë, por ajo është e zënë”, ka thënë fillimisht Bunjaki për “Zërin”.

“Unë e kam nisur projektin qe tetë vjet dhe nuk do të kishte sens të largohem vetëm një muaj pasi kanë nisur kualifikimet. Na pret një rrugë e gjatë, e kam përkrahjen e Federatës dhe do ta vazhdojmë rrugën së bashku. Ata që kanë pritur më shumë në këtë fillim të rrugëtimit tonë, kanë gabuar. Kemi luajtur me dy superfuqi dhe momentalisht ju them se nuk jemi të gatshëm të përballemi me superfuqi”, ka vazhduar trajneri kosovar.

Bunjaki: Epoka ime mbyllet më 2020

Bunjaki është i vendosur kur flet për të ardhmen e tij. Ai ia ka vënë një cak vetes dhe po punon intensivisht që ta çojë deri në fund rrugën e nisur.

“Unë do ta drejtoj ekipin deri në ‘Evropianin 2020’. Pas tij, rrugët tona do të ndahen. Nga ajo kohë, me siguri edhe FFK-ja do ta marrë një trajner të ri me ide dhe projekte të reja. Po ashtu, edhe unë, pas një kohe të gjatë kam nevojë për projekte të reja e ndoshta ajo që më mungon më së shumti është puna ditore me lojtarë, pra e ndiej mungesën e punës në klub, por edhe për zhvillimin tim individual, duhet të shkoj më tutje pas Evropianit 2020”, shpjegon Bunjaki për Zërin.

Kualifikohemi në Evropian

Trajneri kosovar është shumë optimist se do ta kualifikojë Kosovën në “Evropianin 2020”. Për ta arritur këtë ai kërkon durim dhe premton punë të madhe.

“Në kualifikimet për Botëror do të mundohemi të piqemi dhe të bëjmë përvojë. Ndërkohë, të marrim sa më shumë pikë pasi jam i bindur se në fund do të jemi në një pozitë më të mirë në renditjen botërore. E objektiv yni është Evropiani. Jam i sigurt 100 për qind se do të kualifikohemi në ‘Evropianin 2020’”, insiston Bunjaki, i cili thotë se ka parë elemente dhe aspekte shumë pozitive nga ekipi i tij në tri ndeshjet e para, bile më shumë se që priste.

Ai tregon se ka marrë komplimente nga trajneri i Ukrainës, Andriy Shevchenko, pas ndeshjes, i cili i kishte thënë se e keni një skuadër të re, potenciale dhe shumë më të mirë se që kishte menduar legjenda ukrainase.

Bunjaki insiston se Kosova ka të ardhme të ndritshme, por që djelmoshat duhet lënë të punojnë në qetësi dhe të evitohen kritikat e ngutshme dhe pa vend.

FFK-ja i beson Bunjakit

Federata e Futbollit të Kosovës nuk po mendon që ta ndërrojë trajnerin. Në shtëpinë e futbollit kosovar thonë se e kanë besimin e plotë në Bunjakin, të cilin, momentalisht, nuk e kanë ndërmend ta ndërrojnë. /Zëri/


View the original article here

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s